Athina, 31 korrik 2010 (MIA) - Mijëra banorë lokal dhe turistë të huaj edhe sot mbetën të bllokuar në Greqi, për shkak të mungesës së karburanteve në stacionet e benzinës, të shkaktuar nga greva gjashtëditëshe e vozitësve të kamionëve.
Greva e kamionistëve, që filloi të hënën, çoi deri te ndërprerja e distribuimit të ilaçeve, ushqimit dhe karburanteve, rezervat e të cilave pothuajse tërësisht janë shterur.
Edhepse, Qeveria greke i mobilizoi kamionët dhe anijet ushtarake për dërgesë të produkteve themelore ushqimore dhe derivateve, vetëm një numër i vogël i pompave të benzinës në Greqi morrën sasi të reja të karburanteve.
Mediumet greke lajmërojnë se një numër i madh i turistëve të huaj, para së gjithash nga BUllgaria dhe Serbia, të cilët kanë arritur për pushime në Greqi me transport të vetin, nuk mund të kthehen në vendet e tyre, sepse nuk mund të furnizohen me benzinë.
Mediumet në Serbi kumtuan se rreth 100.000 serbë kanë mbetur të bllokuar në Greqi, para së gjithash në gadishullin Halkidiki dhe në ishullin Tasos. Disa prej tyre thonë se karburante mund të gjenden vetëm "në të zezë" për çmim prej pesë eurove për litër, që është tre herë më shtrenjtë se çmimi normal.
Kamionistët e filluan grevën në shenjë proteste për shkak të propozimit qeveritar për liberalizimin e sektorit të transportit, që ishte një nga kushtet për ndarjen e pakos shpëtimtare nga ana e FMN-së dhe BE-së.
Me planin qeveritar, realizimi i të cilit duhet të fillojë prej shtatorit, parashihet rritje e konkurrencës në transport dhe heqje e pozitës së monopolit e transportuesve grekë në atë sektor. ab/15:18
###